
Tetë zakone të shëndetshme mund të ndihmojnë në zgjatjen e jetës nëse njerëzit i adoptojnë ato në moshën e mesme. Ky është përfundimi i një studimi të paraqitur në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të të ushqyerit "Ushqyerja 2023" në Boston .
Aktiviteti fizik, liria nga varësia ndaj drogave, ndërprerja e duhanit, menaxhimi i stresit, ushqimi i mirë, konsumimi i moderuar i alkoolit, gjumi me cilësi të mirë dhe marrëdhëniet pozitive shoqërore janë çelësat për rritjen e jetëgjatësisë.
Studimi përdori të dhëna nga informacionet mjekësore për më shumë se 700.000 veteranë të moshës 40-99 vjeç në SHBA. Të dhënat janë mbledhur në periudhën 2011-2019. Sipas rezultateve, meshkujt që kanë adoptuar të tetë këto zakone deri në moshën 40-vjeçare parashikohet të jetojnë mesatarisht 24 vjet më shumë se meshkujt që nuk kanë asnjë nga këto zakone. Për gratë, këta tetë faktorë në moshën e mesme u shoqëruan me 21 vite shtesë të jetës në krahasim me gratë që nuk kishin asnjë nga këto zakone.
Në mënyrë të veçantë, aktiviteti i ulët fizik, përdorimi i drogave dhe pirja e duhanit kishin ndikimin më të madh në jetëgjatësi dhe u shoqëruan me një rrezik afërsisht 30-45% më të lartë të vdekjes. Stresi, konsumimi i tepruar i alkoolit, dieta e dobët dhe cilësia e dobët e gjumit shoqërohen me një rritje prej rreth 20% të rrezikut të vdekjes, ndërsa mungesa e marrëdhënieve pozitive sociale shoqërohet me një rritje prej 5% të rrezikut të vdekjes. (A2 Televizion)