
Fermerët shqiptarë do të marrin më pak subvencione për tri vitet qe vijnë. Nga 950 milion lekë qe morën këtë vit për naftën pa taksa, vitin e ardhshëm, Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që shuma në dispozicion të jetë 792 milion lekë. Ndërsa në 2023 dhe 2024 shuma ulet respektivisht në 700 dhe 500 milionë lekë. Kjo është një tjetër goditje për sektorin e konsideruar si prioritar nga Qeveria, pas heqjes nga 1 janari të subvencionimit të TVSh-së dhe rritjes se vlerës së tatimit për imputet bujqësore.
Përfaqësues nga ky sektor thonë se Bujqësia më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmë, dhe dhënia e një dore duhet të nisë që nga këshillimi dhe orientimi i fermerëve.
Aktualisht skema përcakton si përfitues fermerët e kulturave bujqësore apo drurët frutorë. Për kultivimin e 1 hektari misër një fermer harxhon 190 litra naftë. 106 prej tyre do të blihen me 63,8 lekë për litër dhe pjesa e mbetur me çmimin e tregut.
Subvencioni i naftës në bujqësi është një politike që është hequr dhe rikthyer disa herë, pasi shpesh janë konstatuar abuzime dhe jo gjithmonë nafta shkon në drejtimin e duhur. (A2 Televizion)