
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Presidenti Joe Biden priti liderët e të dyja vendeve në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se do të jenë një vlerë e shtuar për aleancën ushtarake dhe vlerësoi kontributin në misionet bashkë me trupat amerikane në Kosovë, Afganistan dhe Irak.
“Finlanda dhe Suedia i kanë përmbushur kushtet”, nënvizoi ai, duke shtuar se pranimi i anëtarëve të rinj në NATO nuk është kërcënim për asnjë shtet, duke iu referuar kështu Rusisë.
“Thelbi është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: Finlanda dhe Suedia e bëjnë NATO-n më të fortë, jo vetëm me kapacitetet e tyre, por edhe me demokracitë e fuqishme. Një NATO e fuqishme dhe e bashkuar është themeli për sigurinë e Amerikës”, deklaroi Biden.
Suedia dhe Finlanda aplikuan të mërkurën për anëtarësim në NATO, një vendim i shtyrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Por, për pranimin e tyre duhet që të jenë dakord të gjitha 30 vendet anëtare, dhe Turqia po bëhet pengesë serioze. Megjithatë, Uashingtoni, Helsinki dhe Stokholmi besojnë se mund të adresojnë shqetësimet e Ankarasë.
Sauli Niinisto, President i Finlandës, tha: “Ne e marrim seriozisht terrorizmin. Ne e dënojmë terrorizmin në të gjitha format e tij dhe jemi aktivisht të angazhuar në luftimin e tij. Jemi të hapur për të diskutuar të gjitha shqetësimet që mund të ketë Turqia në lidhje me anëtarësimin tonë në mënyrë të hapur dhe konstruktive”.
Magdalena Andersson, kryeministre e Suedisë, deklaroi: “Zoti President, mbështetja juaj për aspiratat e vendeve tona në NATO për sigurinë tonë është e një rëndësie thelbësore dhe ne presim një proces të shpejtë ratifikimi nga anëtarët e NATO-s. Ne tani jemi duke zhvilluar një dialog me të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Turqinë, në nivele të ndryshme, për të zgjidhur çdo problem në fjalë”.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili shprehu bindjen se vendet anëtare do të marrin një vendim të shpejtë për të mirëpritur Finlandën dhe Suedinë në aleancë. (A2 Televizion)