
Një anije rimorkiuese është mbytur pranë brigjeve të Pulias, rreth 50 milje larg Barit, raportojnë mediat italiane. Si pasojë, raportohet për të paktën 2 viktima, por edhe për disa persona të tjerë të cilët kanë humbur.
Sipas “Corriere della Sera” anija ishte nisur nga Ankona për në Durrës. Nuk është e qartë nëse në momentin e incidentit ka qenë në ujërat italiane, apo kroate.
Sipas Rojës Bregdetare të Barit, operacioni i shpëtimit është shumë i vështirë për shkak të erës së fortë në det të hapur.
Mediat italiane raportojnë se komandanti i anijes, një 63-vjeçar nga Katania, është shpëtuar dhe dërguar në spitalin e Barit. Në operacion po marrin pjesë disa anije dhe helikopterë. (A2 Televizion)