Suedia në kërkim të dronit që fluturoi mbi centralin bërthamor

Nga A2 CNN
16 Janar 2022, 08:55 | Bota
Suedia në kërkim të dronit që fluturoi mbi centralin

Policia suedeze ka marrë masa shumë të forta sigurie dhe ka shtuar patrullimet si nga ajri ashtu edhe nga toka në centralin bërthamor të Forsmark, pasi një dron i madh fluturoi mbi të për disa minuta të tëra.

Kërkime në të gjithë vendin kanë nisur për këtë incident, por askush nuk është ndaluar për dërgimin e mjetit pa pilot në centralin më të madh bërthamor.

Sipas disa ekspertëve, incidenti vjen disa ditë pasi ushtria suedeze nis patrullimin në qytetin kryesor të ishullit Gotland, në Detin Baltik, në një kohë kur tensionet mes NATO-s dhe Rusisë janë rritur ndjeshëm.

Centrali “Forsmark”, prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Suedi, ndodhet në bregun baltik rreth 150 km në veri të Stokholmit.

Patrulla dhe helikopterë u vendosën nga policia suedeze, pasi pikasën dronin përpara se të raportohej nga forcat e sigurisë në centralin bërthamor Forsmark. Droni më pas u zhduk drejt ishullit Graso.

Raporte të pakonfirmuara bëjnë me dije se dronë janë pikasur dhe në uzinën bërthamore Ringhals në bregun perëndimor të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos