
Suedia pranon se ka një rrezik që Rusia të reagojë nëse vendi vijon me synimin e vet për t’u anëtarësuar në NATO, por thotë se ka gati kundërreagimin.
“Nëse Suedia kërkon anëtarësim në NATO, ka një rrezik që Rusia të reagojë. Por më lejoni ta them qartë, jemi të përgatitur për çdo lloj kundërpërgjigje”, citohet nga Reuters ministri suedez i Mbrojtjes, Peter Hultqvist.
Një ditë më parë, Kremlini tha përmes zëdhënësit Dimitry Peskov, se Rusia do ta konsideronte kërcënim nëse Suedia dhe Finlanda vendosin të bashkohen me NATO-n.
Por një tjetër zyrtare suedeze, ministrja e Jashtme Ann Linde, thotë se anëtarësimi i vendit të saj në NATO do të kishte efekt qetësues dhe do të sillte përfitime edhe për vendet e tjera të rajonit. “Në këtë mënyrë do të parandaloheshin konfliktet ushtarake në veri të Europës”, tha Linde për gazetarët.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se ndoshta që të hënën, Suedia do të bëjë zyrtarisht kërkesën për t’u anëtarësuar në NATO. (A2 Televizion)