Në një kohë që shumica e Evropës është futur në karantinë në një përpjekje për të shmangur përhapjen e koronavirusit, Suedia po bën të kundërtën, duke mbajtur hapur shkollat, restorantet dhe baret. Madje, duke inkurajuar njerëzit që të dalin për të marrë ajër të pastër.
Në Suedi ka deri tani 2 229 raste me COVID-19 dhe 41 viktima.
Megjithatë, shtypi suedez nuk është i sigurtë që qeveria po bën gjënë e duhur në këtë situatë.
“Nuk mund të lejojmë që në Suedi të ndodhë ajo që kemi parë në Wuhan dhe Bergamo. Do të ishte bixhoz dhe do të cenonte principin themelor të shoqërisë: që çdo jetë njeriu ka vlerë”, lexohet në editorialin e kryeredaktorit të gazetës më të madhe suedeze, “Dagens Nyheter”.
Sipas tij, qeveria ose duhet të marrë masa më të ashpra ose të bëjë testim të gjerë të popullsisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.
Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, u ka kërkuar njerëzve që të punojnë në shtëpi nëse munden dhe të qëndrojnë patjetër në shtëpi nëse janë mbi 70 vjeç. (A2 Televizion)