"Sulltani i hapësirës", astronauti i parë arab

Nga A2 CNN
4 Korrik 2023, 10:24 | Bota
"Sulltani i hapësirës", astronauti i parë arab

Sulltani i hapësirës është astronauti që njihet tashmë në të gjithë botën, për shkak të emrit të tij Sulltan, por edhe për faktin se është i pari arab në botë që ka shkelur hapësirën. Në një intervistë për Becky Anderson të CNN, Sulltan al Neyadi, rrëfen nga hapësira eksperiencën e tij të parë e të paharrueshme jashtë planetit tokë.

Becky Anderson - Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, unë jam Becky Anderson në qendrën hapësinore Muhamed Bin Rashid në Dubai. Si më dëgjoni?

Sultan Al Neyadi - Becky, unë jam Sulltan Al Nayedi nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar. Ju dëgjoj pastër dhe qartë. 

Becky Anderson - Shkëlqyeshëm. Është fantastike që mund të flas me ty sot. Si je?

Sultan Al Neyadi - Jam shumë mirë, Becky. Është një ëndërr e bërë realitet, të jetosh në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Nuk mund të jem më mirë.

Kjo është një intervistë, krejt jashtë realitetit e botës së tij. Al Neyadi, i njohur tashmë edhe si Sulltani i hapësirës, është qytetari i parë me kombësi arabe që shkon në një mision të tillë afatgjatë, në kozmos.

Ai u nis për një mision 6-mujor në bashkëpunim me NASA-n dhe kompaninë eksploruese Space-X.

Sultan Al Neyadi - Herën e parë që pashë Tokën, pata një moment vërtet të thellë mendimi. Po fluturonim thuajse 400 kilometra mbi planet dhe mund të shihje gjithçka, mund të shihje malet, pyjet, shkretëtirën, gjithçka... ishte vërtet e mahnitshme të shihje planetin tonë.

Becky Anderson – Atëherë, na trego pak ambientin ku ti je tani, na shpjego ku ndodhesh dhe si ndihesh kur gjithë ditën je poshtë e lart në lëvizje.

Sultan Al Neyadi - Atëherë, Becky, në muajin e parë këtu, kishim një mision kargo. Ishte plot shkencë. Bëmë shumë eksperimente shkencore. Testuam medikamente, testuam teknologji, testuam shumë gjëra, që ndoshta testoheshin për herë të parë. Unë u mora me sekuencimin e ADN, aplikova disa medikamente në lidhje me problemet në zemër. Dhe mbi të gjitha, subjektet e këtyre testimeve, jemi vetë ne. Çdo eksperiment e kemi bërë në trupat tanë, në mënyrë që të arrijmë të kuptojmë se si mikrograviteti po prek trupin e njeriut. Se si funksionon trupi i njeriut nëse ne shkojmë në Hënë, apo në Mars apo në hapësirë. 

Përpos këtyre eksperimenteve shkencore, Al Neyadi i kalon ditët edhe me riparimet e nevojshme, brenda dhe jashtë stacionit hapësinor.

Becky Anderson - Më trego pak për ecjen në hapësirë, Sulltan. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme apo e frikshme?

Sultan Al Neyadi - Të dyja bashkë. Dhe në fakt, emri është ecje, por nuk ecim, thjesht përdorim duart. Ndaj, them se duhet të kesh krahë vërtet të fuqishëm që të zhvendosesh nga një vend në tjetrin, por është e mahnitshme. Ishte për 7 orë me radhë. Nuk i ndjeva orët sepse isha shumë i fokusuar në mision dhe ishte një ndjenjë fantastike, ndiheshe sikur lundroje, por me kostum hapësinor. Ishte njësoj si një anije e vogël hapësinore. Ato sigurojnë oksigjen dhe CO2. Dhe ajo që të ndan nga vdekja në vend, është vetëm një copë xhami i vogël përpara.

Becky Anderson - Na trego pak si stërvitesh. Na trego disa shembuj të të jetuarit në gravitet zero.

Sultan Al Neyadi - Në zero gravitet, thjesht noton. Ndihemi sikur jemi në një varkë, nuk lëvizim shumë. Ndaj, e rëndësishme është që të mbajmë muskujt në lëvizje. Kemi një lloj rutine. Mundohemi të jemi në lëvizje, në mënyrë që edhe të vrapojmë nga pak. Dhe vendosim sende të rënda nëpër këmbë, sepse ndryshe, nuk dihet se ku përfundojmë. Kemi edhe një pajisje tjetër, përmes së cilës stimulojmë peshat. Përdorim cilindrat me vakum, për të stimuluar peshë dhe stërvitemi, siç bëjmë me shtangat, për të mos humbur ritmin e lëvizjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos