
Ka mijëra njerëz që duan ta bllokojnë, por mbledhja e donacioneve në favor të familjes së policit që vrau të martën 17-vjeçarin Nahel në Nanterre ka kaluar një milion euro.
Ndërkohë që polemika janë ndezur për krijimin e kësaj llogarie dhe rregullsinë e saj, platforma online GoFundMe, bën me dije se mbledhja e parave është në përputhje me kushtet e përdorimit, pasi fondet do t'i paguhen drejtpërdrejt familjes.
GoFundMe sqaroi se nuk janë të lejuara dhe do të përjashtohen mbledhjet e fondeve për mbrojtjen ligjore të një krimi të dhunshëm ose ato që vijnë nga faqet që kanë përmbajtje urrejtjeje.
Mbledhja e fondeve, e cila është promovuar nga eksponenti i ekstremit të djathtë Jean Messiha arrin më shumë se 50,000 donacione, për një vlerë totale mbi një milion euro.
“Mbështetje për familjen e policit të Nanterre, Florian M. , i cili bëri detyrën dhe po paguan një çmim të lartë”, thuhet në tekstin që shoqëron nismën.
Përveç mbledhjes kryesore, një donacion tjetër është në internet, sërish në mbështetje të familjes së policit, organizuar nga shoqata e policëve me motoçikletë të rajonit Hauts-de-Seine.
Krijimi dhe mbi të gjitha suksesi i mbledhjes së fondeve në favor të familjes së policit ka ngjallur indinjatë sidomos tek politikanët e së majtës franceze.
Dhe shumë po pyesin për hendekun midis fondeve të marra nga familja e agjentit të Policisë Kombëtare dhe atyre të mbledhura në platformën Leetchi në mbështetje të nënës së Nahelit që për momentin është pak më shumë se 200 mijë euro . (A2 Televizion)