Një tjetër tragjedi që si burim ka urrejtjen racore ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht në qytetin e Bafalos, në shtetin e Nju Jorkut.
Janë 10 viktimat dhe 3 të plagosurit në një sulm të armatosur ku autori i dyshuar është një 18-vjecar, Payton Gendron, që si arsyeje të vetme për gjestin e çmendur kishte urrejtjen për popullsinë afro-amerikane.









Ngjarja ka ndodhur pasditen e të shtunës në një supermarket, në një zonë të banuar më së shumti nga afro-amerikanë. Nga personat që Gendron ka gjuajtur me tre armë të ndryshme, 11 prej tyre ishin afro-amerikanë, ndër to edhe një ish-polic që punonte si roje.
Sipas policisë, në armët e tij Gendron kishte shkruar fjali raciste dhe suprematiste. Por policia dyshon edhe për aftësitë mendore të personit, i cili edhe më parë kishte kërcënuar shokët e klasës për një sulm të tillë gjatë maturës. Një detaj rrëqethës erdhi nga rrjetet sociale. Autori ka transmetuar pothuajse të gjithë sulmin në rrjetin social Twitch.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, akuzoi rrjetin social për bashkëpunim moral, edhe pse indirekt me vrasësin, sepse nuk mundi ta bllokojë transmetimin. (A2 Televizion)