"Goditja" nga Irani, Mema: Ka filluar në 2021, kundërpërgjigje e sulmit të MEK dhe izraelitëve ndaj tyre

Nga A2 CNN
20 Shtator 2022, 21:00 | Aktualitet
"Goditja" nga Irani, Mema: Ka filluar në 2021,

Shumë është folur për sulmin kibernetik që ka goditur Shqipërinë, por më të paqarta janë shkaqet që kanë shtyrë të akuzuarin zyrtar, Iranin, për të ndërmarrë një sulm aq mirë të planifikuar, që vuri në vështirësi vendin tonë.

 I ftuar në “Debat”, pedagogu dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Medlir Mema, për t’iu përgjigjur pyetjes u bazua te raporti i shpërndarë nga njësia kibernetike e Micrososft, e këtij shtatori, ku evidentohet një dinamikë sulmesh që fillon vitin e kaluar, dhe që sipas tij ka shumë aktorë të përfshirë.

“Sipas raportit, sulmet ndaj institucioneve shqiptare kanë filluar nga maji i vitit 2021, duke ndërhyrë në disa individë brenda qeverisë shqiptare, dhe në korrik pati një goditje të dytë, ku janë nxjerrë të dhëna nga një adresë email-i që është komunikuar ditët e fundit. Në të njëjtën kohë ka ndodhur një goditje ndaj vendeve të tjera, si Izraeli, Jordania, Kuvajtin, Turqia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara,”- rrëfeu Mema, i cili shtoi në veçanti një sulm, të ndodhur verën e kaluar.

https://a2news.com/2022/09/20/sulmet-kibernetike-nga-irani-shtuni-do-te-kerkoje-kohe-dhe-kosto-te-larte-per-tu-ndrequr/

“Me interes për ne në Shqipëri në raport, është sulmi në korrik të vitit 2021 nga institucione izraelite dhe MEK, muxhahedinët që sot kanë qendrën në Shqipëri. Ky sulm është kryer pra nga një shoqëri kibernetike izraelite bashkë me muxhahedinët e MEK, që ndërhynë në valët e transmetimit të televizionit iranian, ku janë transmetuar imazhe të drejtuesve të MEK dhe kanë publikuar numrat privatë të telefonit të liderit suprem iranian. Pas këtij sulmi, Irani ka ndërhyrë kundër Shqipërisë, ndër vendeve të tjera. Pra ka një lidhje të drejtpërdrejtë të sulmit të MEK me atë të Iranit, që është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj atij sulmit të MEK”, ishin fjalët e tij.

Sipas ekspertit, “Shqipëria tashmë është një ushtar në një lojë më të gjerë, prandaj duhet rishikuar konteksti i sigurisë së Shqipërisë, së bashku me aleatët”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos