
Kryeministria ka reaguar përmes një deklarate për mediat në lidhje me sulmin kibernetik që çoi në mbylljen e përkohshme të platformës qeveritare e-Albania si dhe të faqeve të tjera zyrtare.
Në njoftimin e Kryeministrisë shkruhet se sulmi i hakerave vjen nga jashtë Shqipërisë dhe se ai është shumë i sofistikuar dhe sinkronizuar. Më tej, në njoftim thuhet se faqet do të jenë përkohësisht jashtë funksionit deri në shmangien e dëmeve.
“Shqipëria është gjendur ditën e sotme nën një sulm masiv kibernetik, të pandodhur kurrë më parë. Sulmi kriminal kibernetik rezulton të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.
Për të mos lejuar që kjo goditje të dëmtojë sistemin tonë të informacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare.
Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e sulmeve armike, teksa AKSHI po punon me ekipin e Microsoft, me ekipin e Jones Group International dhe kompanitë shqiptare në fushën TIK, për të penguar cenimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal”, shkruhet në njoftimin e Kryeministrisë. (A2 Televizion)