
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, dënoi sulmin e Iranit ndaj Shqipërisë, duke e quajtur atë të papërgjegjshëm.
Duke ofruar edhe njëherë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar, Kim deklaroi se rreziku nga sulmet kibernetike është i vazhdueshëm dhe për t’u mbrojtur nevojiten partneritete.
“Shtetet e Bashkuara janë këtu për të ndihmuar. Jam krenare që këtu në Shqipëri kemi ndihmuar me masat e sigurisë kibernetike, përpara, gjatë dhe pas sulmit të pakujdesshëm dhe të papërgjegjshëm të Iranit ndaj qeverisë shqiptare dhe në fakt ndaj popullit shqiptar. Në tërësi, SHBA-ja gjithmonë punon me aleatët dhe partnerët për të mbrojtur qeveritë dhe njerëzit tanë nga përdorimi dashakeq i teknologjive të reja.
Por për shkak të varësisë së qytetarëve tanë nga teknologjitë dhe rrezikut të vazhdueshëm ndaj sigurisë së tyre nga aktorë dashakeqë, ne të gjithë kemi nevojë për partneritete, midis qeverive dhe sektorit privat. Për të mbajtur njerëzit tanë, bizneset dhe demokracitë të sigurta”, u shpreh Yuri Kim. (A2 Televizion)