
Qeveria e Kosovës miratoi të premten një paketë sanksionesh kundër Rusisë. Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova me këtë veprim i bashkohet, SHBA-së dhe BE-së në kundërpërgjigjen ndaj sulmit në Ukrainë.
“Ushtria ruse është ajo e cila me këtë agresion bëri Evropën të tronditet dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare të rimendohet. Kjo Rusi që po shohim sot nuk është e re, por edhe një paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re”, tha Kurti.
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, e cilësoi sulmin si një prej goditjeve më të rrezikshme që i është bërë sigurisë evropiane dhe asaj ndërkombëtare në dekadën e fundit.
“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i tyre në tregje financiare dhe masa të tjera kufizuese që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe aktorët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë”, shtoi Gërvalla.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua të premten me pjesëtarë të opozitës për të diskutuar situatën e sigurisë, pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë. Siç u tha në një deklaratë, palët diskutuan edhe për masat që kanë marrë institucionet e Kosovës për t’u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. (A2 Televizion)