
“Sirena” italiane për Armando Sadikun. Pas gjysmës së parë të edicionit, ku ka qenë i pafat me dëmtimet dhe formën e shfaqur, sulmuesi i Kombëtares pritet të largohet nga Turqia.
Destinacioni i ardhshëm i 29-vjeçarit mund të jetë Serie B italiane. Interes për Sadikun ka shfaqur Kozenca, në kategorinë e dytë italiane.
Klubi nga Kalabria rrezikon rënien nga Serie B dhe kërkon përforcime, me bomberin shqiptar që shihet si një prej shpëtimtarëve të sezonit. Në fillim të sezonit, Armando Sadiku u largua nga Spanja, për të nisur një aventurë të re.
Kuqeziu iu bashkua Erzurumspor, skuadër që u ngjit në elitën e futbollit turk, por asgjë nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Vetëm 105 minuta të luajtura në pesë ndeshje të kampionatit, dhe largimi duket i pashmangshëm. (A2 Televizion)