Pasi hodhën salcë domatesh në veprën, “Luledielli” të Van Gogh në Londër, aktivistët në Romë kanë kryer një tjetër incident me një tjetër pikturë të artistit holandez. Bëhet fjalë për pikturën e quajtur “Mbjellje në perëndim të diellit” e cila është njollosur nga disa aktivistë të klimës që lëshonin parulla kundër përdorimit të qymyrit dhe ndryshimeve klimatike.
Piktura është ekspozuar në Pallatin Bonaparte dhe është e mbrojtur me xham. Menjëherë pas aksionit të aktivistëve ka ndërhyrë sigurimi i cili ka mbyllur menjëherë ambientet e ekspozitës duke larguar vizitorët. Pasi hodhën supën me perime mbi vepër, aktivistët u mbështetën në mur dhe bërtisnin kundër përdorimit të qymyrit dhe ndryshimeve klimatike.













Piktura është pjesë e ekspozitës kushtuar artistit që mirëpret veprat e Muzeut Kröller-Müller në Otterlo dhe është e mbrojtur me xham.
Sulmi vjen pas sulmeve të veprave të artit, një e Van Gogh në Londër e quajtur Luledielli, një tjetër vepër e Monet në Gjermani e quajtur “Les Meules” (Mullarët) dhe një tjetër sulm me salcë domatesh në Hagë ndaj veprës së piktorit flamand "Vajza me vathë me perla". (A2 Televizion)