
Policia e Shkodrës finalizoi me sukses operacionin “Syri i Sheganit” gjatë së cilit u arrestuan autorët e grabitjes së një banke të nivelit të dytë në Koplik, si dhe u zbulua një shtëpi e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Në lidhje me grabitjen e një muaji më parë në një bankë në Koplik, policia ka bërë të mundur vënien në pranga të tre autorëve të saj Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj të Malësisë së Madhe.
Të tre personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin më 9 maj, nën kërcënimin e armës, hynë në degën e BKT-së, në Koplik ku morën një sasi të konsiderueshme parash. Më pas, ata u larguan me një mjet “Golf 3”, pa targa, të cilën e dogjën tek “Rrethrrotullimi i Bajzës”.
Më pas, grabitës kërcënuan një shtetas në rrugë dhe i morën makinën për t’u larguar drejt fshatit Shegan ku hodhën dhe armët në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”.
Deri tani, palombarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov.
Gjatë operacionit, nga kontrolli i banesave të të arrestuarve u gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe 9 kilogramë kanabis.
Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ramiz Nikdukaj në Koplik, u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave. Në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës së këtij shtetasi.
Shtetasi Ramiz Nikdukaj u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Kultivmimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.”
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Almir Nikdukaj, djali i Ramiz Nikdukaj dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. N., vajza e shtetasit Ramiz Nikdukaj. (A2 Televizion)