Tabaku zbardh në “A2 Business Week” komunikimet mes Qazim Sejdinit dhe Lefter Kokës për inceneratorin e Elbasanit

Nga A2 CNN
21 Tetor 2020, 20:31 | Ekonomi
Tabaku zbardh në “A2 Business Week” komunikimet mes Qazim

Jorida Tabaku tregoi në “A2 Business Week” komunikimin mes Qazim Sejdinit dhe Lefter Kokës për inceneratorin e Elbasanit.

“Në mars, Qazim Sejdini i ka dërguar shkresë Lefter Kokës duke i thënë se ka emergjencë mjedisore. Të nesërmen, i kthen përgjigje Lefter Koka, duke i thënë që të vazhdojnë me masat dhe pas 3 ditësh aplikon “Alb Tech Energy” për ofertë të pakërkuar për koncesionin. Çdo gjë ka ndodhur e kronometruar mes palëve. Po të shikoni shkresat zyrtare, as nuk ka nevojë të mblidhet SPAK-u për të hetuar”, tha përfaqësuesja e Partisë Demokratike.

Sipas Tabakut, ka dy elemente kryesore në këto koncesione: procesi i përzgjedhjes së kompanisë dhe personat e përfshirë.

“Në kontratën për inceneratorin e Tiranës nuk ka tavan dhe kjo i lë hapësirë që të jetë një shpenzuese e jashtëzakonshme fondesh. Është shembulli kryesor se si është kryer abuzimi me kontratën. Është kontratë korruptive që nga momenti i ideimit dhe deri në zbatim. Është krijuar biznes vetëm për këtë gjë, është ngritur shteti në këmbë për të garantuar punë për këtë biznes. Procesi i përzgjedhjes së këtyre kompanive pa eksperiencë pune është i paprecedent”, u shpreh Tabaku.

Ndërsa për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, “një nga problemet kryesore janë parapagesat e shërbimeve”.

“Fondet private kryejnë investime menjëherë dhe shteti ia shlyen me kalimin e viteve. E kemi mbushur buxhetin e shtetit me 2 miliardë euro PPP. Në terren nuk është bërë asnjë punë dhe koncesionari ka marrë 14 milionë euro pa punuar. Madje, koncesionari ka fituar para, nga paratë e publikut, pasi i ka mbajtur në bankë për dy vite. Kontratat janë ndërtuar që edhe nëse ti nuk punon, vazhdon të marrësh paratë”, theksoi Soko. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos