
Çështja e inceneratorëve të ndërtuar me konceptin e partneritetit publik privat në Shqipëri është prej disa kohësh në vëmendjen e opinionit publik, edhe për denoncimet për korrupsion që vijnë nga opozita.
Por dritëhijet e çështjes kanë ardhur nga një investigim i thelluar i BIRN-it, pjesë e të cilit ka qenë edhe Aleksandra Bogdani, që për “A2 Business Week” shpjegon detaje mbi pikënisjen e investigimit dhe shtron disa pikëpyetje që mbeten ende pa përgjigje nga palët e përfshira.
“Bëhet fjalë për një grup shumë të vogël njerëzish që kanë lidhje politike me qeverinë, por disa edhe me opozitën, që fitojnë kontrata me vlerë qindra miliona euro, duke pasur kompani të sapokrijuara dhe pa eksperiencë të mëparshme, pa kapacitete ekzistuese, dhe me kapitale fillestare minimale”, tregon gazetarja.
Investigimi i BIRN ka filluar me disa matëse uji në Fier. “Kompania që mbetet pas tre inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, Integrated Technology Services, u krijua në 2010 mbi një projekt të Ujësjellësit të Fierit, ku ka qenë nënkontraktor zoti Mirel Mërtiri, i cili është gjithashtu pjesë e përfituesve, ndonëse emri i tij nuk del në kontrata. Nuk ka pasur tendera në 6 ujësjellësit, pretendohej teknologji e re që më pas u deklarua jo-fizibël, ndërkohë ujësjellësit janë mbytur në borxhe. Hetimet janë pushuar pa gjetur përgjigje, por japin indikacione si ky grup njerëzish ka ndjekur të njëjtën praktikë biznesi, për të marrë para nga taksapaguesit për projekte që kanë pasur një impakt minimal.
Sipas Bogdanit, “skema më e madhe nisi me kontratën 21.6 milionë euro, e firmosur në 2014 për inceneritorin e Elbasanit. Në atë kohë, këto persona po negocionin kontratën e ujësjellësit të Fierit, dhe në fund të atij viti dolën me kontratën e inceneratorit. Në Elbasan nuk pati as tender formal, u bënë negociata direkte me kompaninë”.
Këto persona janë akuzuar për lidhje me pushtetin. “Lidhjet politike janë të qarta. Zoti Mërtiri ka lidhje miqësore me zotin Ahmetaj, nisur edhe nga një udhëtim i përbashkët i përfunduar në aksident rrugor në Maqedoninë e Veriut , ku një muaj më vonë u përfitua një kontratë shumë e madhe si ajo e Tiranës, që vetëm për taksapaguesit ka një kosto prej 300 milionë euro”.
Pyetjet e Bogdanit për institucionet shtetërore janë edhe më të mëdha. “Si janë kryer studimet e fizibilitetit, si janë kontrolluar këto kompani? Asnjëherë nuk thuhet zyrtarisht kush janë përfituesit, veçanërisht për inceneratorin e Tiranës, ku bëhet fjalë për një kompani guaskë e regjistruar në Holandë, të cilës nuk i dimë aksionerët”, shton gazetarja për A2.
Një investigim i tillë shoqërohet me presion të fortë, nga përgjegjësia profesionale, por edhe nga palët e përfshira. Bogdani pranon se pas investigimit të tyre “palët kanë qenë më të nervozuara se zakonisht, ka pasur intimidime dhe kërcënime me procese gjyqësore, diçka kjo që është drejta e palëve të kryejnë, por jo paraprakisht pyetjeve që bënim. Gjithsesi, shqetësimi ynë kryesor ishte të siguronim dokumentet dhe të ishim sa më të drejtë me palët”, theksoi gazetarja, duke shtuar se deri më tani nuk i ka ardhur asnjë padi mbi investigimin në fjalë. (A2 Televizion)