
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç do të zhvillojnë një takim në prani të Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, gjatë samitit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Takimin e konfirmoi për “Radio Evropa e Lirë”, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Para nisjes së samitit, Kurti kritikoi BE-në për mosmbajtjen e premtimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e quajtur një padrejtësi të madhe. “Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”.
Nevoja për të miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën u theksua edhe nga Eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili i bëri thirrjeve liderëve të BE-së që të marrin përgjegjësi për veprimet e veta dhe të mbajnë premtimet që kanë bërë ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti foli edhe për 5 shtetet që nuk e njohin Kosovën, duke i bërë thirrje t’u bashkohen vendeve të tjera që e njohin pavarësinë. Mediat spanjollë, shkruajnë se kryeministri Pedro Sanchez ishte siguruar se në samitin e sotëm në Slloveni nuk do të kishte simbole shtetërore pasi Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Edhe në takimin përmes video-lidhjeve, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet janë shmangur, dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë vit. Bashkë me Spanjën, edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia. (A2 Televizion)