Takim Kurti-Vuçiç, para fundvitit, Lajçak në Prishtinë: Nuk kemi kohë për të humbur

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2022, 11:09 | Kosova
Takim Kurti-Vuçiç, para fundvitit, Lajçak në

Vizitoi Prishtinën me një mision të qartë: dorëzimin e versionit përfundimtar të planit franko-gjerman. Pretendimi është se ky propozim, do adresojë dhe pyetjen e madhe, nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ajo që është e rëndësishme në këtë pikë është se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim si bazë për negociata dhe takime. Tani duhet të bashkohemi dhe të fillojmë të diskutojmë, kjo do të na japë përgjigje për të gjitha këto pyetje”, tha Miroslav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pas bisedës me kryeministrin Albin Kurti, njoftoi se shumë shpejt mund të organizohet një takim i nivelit të lartë në Bruksel. “Po punojmë për një takim ku do të trajtojmë çështjen e normalizimit dhe duam që ky takim të bëhet brenda javësh. Unë mund të kthehem së shpejti përsëri për t'u siguruar që takimi të jetë i përgatitur mirë, dhe siç thashë ne vërtet besojmë se nuk ka kohë për të humbur për këtë, nuk jemi nën presion por duam ta shfrytëzojmë këtë moment pozitiv”.

Zyrtari i unionit adresoi dhe pyetjen se nëse marrëveshja përfundimtare që normalizon raportet mes Kosovës dhe Serbisë mund të vijë deri në mars të vitit 2023. “Ky është një moment I duhur, po rnuk do të jetë këtu përgjithmonë. Prandaj, ne nuk duam ta vonojmë këtë proces dhe nuk jam I mirë me afatet, por do të thosha se deri në mars do të shohim se ku qëndrojmë, sa kemi përparuar dhe ku po shkon ky proces”.

Lajçak konfirmoi se me Kurtin diskutoi dhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, duke thënë se vakumi serioz, veçanërisht në sektorin e sigurisë, duhet të tejkalohet dhe situata të kthehet në normalitet. Një tjetër porosi e ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, ishte dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të firmosura nga Kosova e Serbia, përfshirë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Vizita e Lajçak në Prishtinë erdhi pas asaj në Beograd, ku takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos