Takimet në Shtëpinë e Bardhë, Hoti: Bashkëpunimi ekonomik me Serbinë çon në njohje

Nga A2 CNN
3 Shtator 2020, 19:01 | Kosova
Takimet në Shtëpinë e Bardhë, Hoti: Bashkëpunimi

Nisin bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç mbërritën në Shtëpinë e Bardhë për një takim bilateral. Ata u pritën nga Richard Grenell, i emëruari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Prishtinë-Beograd.

Njoftimi erdhi nga këshilltari për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien.

“Liderët e Serbisë dhe Kosovës po bëjnë progress. Biseda jonë këtë mëngjes u përqëndruan në përforcim të marrëdhënieve ekonomike dhe në normalizimin ekonomik. Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Avdullah Hoti mbërritën në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet Serbi-Kosovë. SHBA është e gatshme të lehtësojë normalizimin ekonomik”, tha O’Brien.

Takimi kryesor mes palëve do të mbahet të premten, ku nuk është përjashtuar dhe ndonjë përfshirje e mundshme e presidentit Trump. Përpara bisedimeve, kryeministri Hoti siguroi se nuk do të ketë asnjë diskutim tjetër me Serbinë, përveç se për njohje reciproke. Por konfirmoi se fokusi do të jetë në bashkëpunimin ekonomik mes vendeve.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndeti nismën e Shtëpisë së Bardhë dhe presidentit, Donald Trump në drejtim të marrëveshjes për paqe. Ai nxiti delegacionin e Kosovës që të bëjë hapa të guximshëm drejt paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik.

Për bashkëpunim foli edhe Vuçiç, i cili nuk i kurseu nuancat nacionaliste gjatë një materiali të publikuar në rrjetet sociale. Presidenti serb pranoi se nuk do të jetë një takim i lehtë, por premtoi se do të bëjë më të mirën për të arritur një kompromis të rëndësishëm për çështje ekonomike.

“Kam parë deklarata të shumta arrogante nga zyrtarët shqiptarë të Kosovës lidhur me njohjen e pavarësisë. Mesazhi im për këdo në Serbinë tonë të bukur është: Dorëzimi nuk është një opsion! Rroftë Serbia”, tha Vuçiç.

Ndërkohë, pas ballafaqimit në Shtëpinë e Bardhë, Hoti dhe Vuçiç do të takohen sërish më 7 shtator, por këtë herë në Bruksel, teksa Bashkimi Europian tenton të përmbyllë procesin e dialogut me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të pranuara nga të dyja palët që përfshin dhe njohjen reciproke.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos