
Gjatë qëndrimit në Berlin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesin e lartë të BE-së për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Marrëveshja përfundimtare me Serbinë me njohje reciproke, vendimi për targat dhe çështjet energjetike ishin temë e bisedës së tyre, sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit. Kurti ndryshoi vendimin për ndërrimin e targave të vjetra serbe për të ruajtur paqen dhe sigurinë në vend.
Gjithashtu, ai kërkoi që dëmtimi apo djegia e automjeteve me targa RKS në veri të Kosovës të dënohet nga të gjithë. Në linjë me këtë, reagoi Borrell duke dënuar djegien e automjeteve. “U bëj thirrje të gjithëve që të veprojnë me vetëpërmbajtje”, thekson zyrtari i lartë i BE-së. (A2 Televizion)