Diella lajm në mediat ndërkombëtare: Shqipëria emëron “ministren” e parë në botë të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale

Nga A2 CNN
12 Shtator 2025, 13:02 | Aktualitet

Diella lajm në mediat ndërkombëtare: Shqipëria emëron

Diella, “ministrja” virtuale e kabinetit të ri qeveritar, që sapo mori edhe bekimin e presidentit Bajram Begaj ka pushtuar faqet e mediave ndërkombëtare. Zgjedhja e kryeministrit Edi Rama për të emëruar një “ministre” të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat shkruajnë se Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ndërmerr një hap të tillë.

Prestigjiozja britanike “The Guardian”, citon fjalën e kreut të qeverisë gjatë Asamblesë së PS-së se Diella do të jetë e ngarkuar me prokurimin publik në një përpjekje për të ulur korrupsionin.

“Diella, anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale, do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet një vend ku tenderët publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni”, tha Edi Rama të enjten.

Teksa shpalli përbërjen e qeverisë së tij të katërt radhazi në Asamblenë e Partisë Socialiste në pushtet në Tiranë, Rama tha se Diella, e cila në portalin e-Albania është e veshur me kostum tradicional shqiptar, do të bëhet “shërbëtore e prokurimit publik”, shkruan media britanike.

Euronews thekson se Diella është “ministrja” ë parë në botë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

“Asistentja digjitale, e quajtur Diella, është paraqitur si një grua e veshur me veshje tradicionale shqiptare. Shqipëria ka emëruar “ministrin” e parë në botë të qeverisë së gjeneruar nga inteligjenca artificiale, duke synuar ta bëjë vendin “pa korrupsion”. Asistentja digjitale quhet Diella, që do të thotë Diell, dhe që nga janari i ka këshilluar njerëzit se si të përdorin shërbimet qeveritare në internet. Të enjten, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ia prezantoi kabinetit të tij ministrin e digjitalizimit”, shkruan Euronews.

Ndërsa media amerikane Washington Post shkruan: "Kryeministri Edi Rama tha se Diella, emri i së cilës do të thotë “Diell” në shqip, është një “anëtar i Kabinetit që nuk është i pranishëm fizikisht, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”.

France 24 shkruan se Diella u lançua në janar si një asistente virtuale për e-Albanian dhe se deri më tani ka ndihmuar në lëshimin e 36 mijë dokumenteve digjitale.

“Diella u lançua në janar si një asistente virtuale e mundësuar nga inteligjenca artificiale -- që i ngjan një gruaje të veshur me kostum tradicional shqiptar -- për të ndihmuar njerëzit të përdorin platformën zyrtare e-Albania që ofron dokumente dhe shërbime. Deri më tani, sipas shifrave zyrtare, ajo ka ndihmuar në lëshimin e 36,600 dokumenteve digjitale dhe ka ofruar gati 1,000 shërbime përmes platformës”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos