
Avancimi i talebanëve në betejën për kontrollin e territorit në Afganistan, vijon pa u ndalur. Militantët pushtuan qytetin e dytë me të madh në vend, Kandaharin, në atë që konsiderohet një goditje e fortë për qeverinë dhe një fitore e madhe për talebanët. Qyteti jugor, ishte dikur bastion i militantëve dhe është strategjikisht i rëndësishëm si nyje tregtare.
Zabihullaj Mujahid, zëdhënës i Talebanëve: “Zyra e guvernatorit, selia qëndrore e policisë dhe zona të tjera të rëndësishme në qytet u pastruan nga armiqtë mercenarë dhe u morën në kontroll nga luftëtarët”.
Disa ushtarë u dorëzuan e të tjerë u arratisën. Rekuperuam qindra armë, mjete dhe municione. Militantët ngritën gjithashtu flamurin edhe në Herat, e me këto ritme rrezikojnë të hyjnë në kryeqytetin Kabul, brenda pak ditëve. Deri më tani, kontrollojnë rreth 1/3 e kryeqendrave rajonale. SHBA do të dërgojë 3 mijë trupa në aeroport për të evakuuar një numër të konsiderueshëm të stafit të ambasadës me fluturime të posaçme.
Edhe Britania e madhe do të pozicionojë 600 trupa për të ndihmuar në evakuimin e shtetasve të vet atje. Avancimi i shpejtë i talebanëve ka detyruar dhjetëra mijëra vetë të braktisin banesat. Shumë kanë udhëtuar drejt kryeqytetit Kabul, dhe po flenë nëpër rrugë. Më shumë se 1 mijë civilë janë vrarë gjatë muajit të fundit në Afganistan, sipas të dhënave të OKB. (A2 Televizion)