
Kërcimi i pasionit rrit temperaturat në Buenos Aires. Kampionati botëror i tangos mblodhi në kryeqytetin argjentinas kërcimtarë sallonesh nga e gjithë bota. Çiftet pjesëmarrëse treguan aftësitë e tyre nën vëzhgimin e rreptë të jurisë, për të siguruar kualifikimin në fazën e mëtejshme.
“Ndjesia që më jep tango është entuziazëm i pastër. Dhe sot entuziazmi është ngjitës. Është shumë bukur të jesh këtu dhe të marrësh pjesë në kampionatin botëror”, thotë Leticia Messina, pjesëmarrëse nga Italia.
“Mendoj se ëndrra e çdo kërcimtari tangoje është të vijë këtu, në kampionatin botëror. Është një ëndërr të vish në Argjentinë dhe të njohësh historinë. Edhe më entuziazmuese është të marrësh pjesë në garë”, thotë Vanesa Guiraldo, garuese nga Kolumbia.
Buenos Airesi, destinacioni kryesor i tangos në botë, është vendlindja e kërcimit pasionant dhe nostalgjik. Sipas argjentinasve, kërcimi e ka origjinën në zonat portuale mes Uruguait dhe Argjentinës në shekullin e XIX. Festivali ndërkombëtar mbyllet në 21 gusht dhe përfshin pjesë kinematografike, bisedime dhe kompeticione të frymëzuara nga kërcimi i famshëm. (A2 Televizion)