
Shtatë të burgosur u arratisën pasditen e Krishtlindjeve nga një burg për të mitur, ku ata kryenin dënimin për krimet që kishin bërë.
Sipas autoriteteve në Milano, ngjarja ndodhi në institucionin penal "Cesare Beccaria", ku të rinjtë përfituan nga punimet që po kryheshin në burg prej kohësh, për të gjetur një të çarë dhe për të kaluar murin.
Dy prej tyre u arrestuan brenda një kohe të shkurtër, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim nga autoritetet.Të arratisurit janë të gjithë nga 17 deri në 18 vjeç, disa prej të cilëve me kombësi të huaj.
Ndërkohë që pas arratisjes, të dënuarit e tjerë protestuan duke i vënë zjarrin disa qelive, ngjarje që u vu në kontroll menjëherë me mbërritjen e zjarrfikësve.
Zona rreth burgut është rrethuar nga forca të shumta policie, të cilat nuk lënë askënd të hyjë apo të dalë, përfshirë këtu dhe gazetarët.
Ndërkohë që një hetim ka nisur për të gjetur personat përgjegjës për këtë ngjarje, por mendohet se të burgosurit kanë përfituar kur në patrullim ishte vetëm një oficer policie pasi të tjerët ishin me leje për shkak të Krishtlindjes. (A2 Televizion)