
Ish-ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka humbur jetën në moshën 65-vjeçare.
Frattini kishte disa vite që luftonte me kancerin dhe ndërroi jetë në një spital të Romës.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehu ngushëllimet e tij në rrjetet sociale: “Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perendimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë. Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian. Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet. Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve”. (A2 Televizion)