Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, shpjegoi në “Dita jonë” në A2 pse Teatri Kombëtar u shemb në një ditë të dielë, në orën 04:30 të mëngjesit.
“Nuk mund të ishte situatë normale përsa kohë që një grup njerëzish e kishin uzurpuar ndërtesën prej 2 vitesh e gjysmë. Janë bërë shumë dëgjesa publike, ku të gjitha palët kanë shprehur mendimin e tyre dhe ai grup i vogël kundër shembjes nuk do të kishte ndryshuar mendje në dëgjesa të tjera. Duke e ditur që do të kishte rezistencë, u zgjodh ajo mënyrë dhe ajo kohë për të shmangur përplasjen, që shumica të kryente detyrën dhe pakica të dëmtohej sa më pak”, deklaroi Spiropali.
Sipas saj, “asnjë qytetar nuk ka të drejtë të pushtojë një godinë”.
“Ata nuk lejonin që të hynin në teatër as qytetarë të tjerë. Ajo rezistencë u kthye në bërthamë politike që mbështetet nga opozita jashtëparlamentare. Besoj se kemi bërë gjënë e duhur pasi aty do të ngrihet një teatër dinjitoz. Ata që dalin në foltore të improvizuara, nxjerrin lista me këshilltarë bashkiakë, bëjnë thirrje për shpërndarje Parlamenti, janë të gjithë trushpëlarë”, u shpreh Spiropali.
Në lidhje me deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim, Spiropali tha: “Nuk mund të bëj zëdhënësen e ambasadores Kim. Ne e kemi shprehur me votë mbështetjen për Reformën në Drejtësi dhe kryeministri deklaroi se është i gatshëm që të ulet me të gjithë për të çuar deri në fund zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ne duam që kjo reformë të zbatohet ashtu siç është. Nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë të asnjë kompromisi në kurriz të ligjeve”. (A2 Televizion)