
Shoqëria civile ka humbur terren përballë forcës që ka politika. Protestat në shumicën e rasteve nuk kanë sjellë zgjidhje dhe zëri i qytetarëve nuk është dëgjuar.
Aktivistët e gjejnë fajin fillimisht tek vetja, e më pas tek politika që nuk u bindet kërkesave të tyre.
Pikërisht ato që mund të konsiderohen si gabimet e shoqërisë civile, u shtruan për diskutim nga Instituti për Demokraci dhe ndërmjetësim.
“Ju kujtohet periudha 2018-2019,kishte një sërë protestash në vend, por asnjëherë nuk u mblodhëm bashkë për tëçuar një kauzë deri në fund, por individualisht,” shprehet Gjergji Vurmo.
“Jemi dixhitalizuar shumë, ishim më të lezetshëm kur ishim analog, kur mblidheshim e krijonim protesta. Tani jemi neper Facebook e Instagram. E mos u çudisni ndonjë dite kur dhe ne aktivistet te shkojme te dera e ambasadorit për azil," thotë Gent Zenelaj.
Të vështirë përballë politikës që ka dominuar dhe institucionet e kanë punën edhe hulumtuesit, të cilët as nga e drejta që u garanton ligji për informim nuk po përfitojnë dot.
Janë 456 kërkesa te Komisioneri nga qytetarët për mungesë të dhënies së informmacionit, sipas Blerina Binos.
Mobilizimi i aktivistëve dhe ndërgjegjësimi për të thithur sa më shumë qytetarë në protesta, shihen si rrugëzgjidhja e funksionimit të demokracisë në Shqipëri. (A2 Televizion)