Alarm mjedisor në Durrës, mbetjet hidrokarbure hidhen në kanalizimet e Plazhit

Nga A2 CNN
14 Qershor 2023, 12:50 | Aktualitet

Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës (SHRUKD), nëpërmjet një njoftimi për mediat, ka bërë me dije se, mëngjesin e sotëm në linjën e pranimit të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura (ITUN) në Shënavlash është konstatuar ndotje e lartë mjedisore.

Sipas njoftimit, mbetje të shumta me bazë hidrokarbure kanë lëvizur nëpërmjet kanalizimeve të ujërave të ndotura të qytetit duke përfunduar tek impianti i trajtimit. Kjo ndotje është e përmasave shumë të mëdha dhe ka shkaktuar dëmtime tek disa pajisjeve të impiantit.

Në kushte të tilla puna në impiant është ndërprerë deri në pastrimin e plotë të këtyre mbetjeve. Mendohet se sasia e mbetjeve të tilla është hedhur në kanalizimet e zonës së Plazhit pranë stacionit të pompimit nr. 6 dhe më pas ka ardhur në stacionin fundor nr. 9 dhe që andej në impiantin e  Shënavlashit.

Për këto arsye SHRUKD ka njoftuar IKMT, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Policinë e Shtetit për këtë ngjarje. Pranë impiantit kanë ardhur inspektorë të këtyre institucioneve, të cilët kanë parë shkallën e ndotjes dhe kanë bërë akt-konstatimin e rastit të shoqëruar edhe me foto për të vazhduar me procedurat e mëtejshme.

Ka pasur edhe në të kaluarën ndotje të tilla mjedisore, por në përmasa të tilla si kjo që është konstatuar ditën e sotme. SHRUKD kërkon nga instancat përkatëse gjetjen e autorëve që kanë shkaktuar këtë ndotje me pasoja të mëdha për Impiantin dhe ekosistemin e zonës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos