
Të harruar në vendin e tyre, mund të cilësohen banorët e fshatit Rrungaj. Kjo zonë njihet vetëm si nocion gjeografik në bashkinë e Fierit, pasi për investime dhe vëmendje as që bëhet fjalë.
Dikush llogarit se si do t’ia bëjë pasi me kalimin e moshës nuk do të ketë më mundësi të shkojë të blejë vetë ujin. Ndërsa një nënë tregon me dhimbje se fëmijët e kanë thuajse të pamundur të qëndrojë qoftë edhe pak ditë me ta, pikërisht për shkak të mungesës së rrugës dhe ujit.
Një nga fermerët e zonës thotë që përdor ende transportin me krahë për t’i dërguar produktet bujqësore te tregtarët që presin në rrugën kryesore.
Nuk janë më shumë se 4 kilometra rrugë, që këta banorë të kenë mundësi të paktën për të lëvizur lirshëm. Për këto 4 kilometra, ka më shumë se 3 dekada që premtohet në çdo fushatë elektorale, lokale apo të përgjithshme. (A2 Televizion)