
Takimi i së hënës është një mundësi unike për marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu u shpreh përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Joseph Borrell, i cili foli në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pikërisht për tryezën e radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
“Dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve është në një moment vendimtar”, tha zyrtari duke shtuar se shpreson që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive.
Ndërsa ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak, konfirmoi për Tanjugun serb se në raundin e ri të dialogut do të diskutohet për afatet e zbatimit të propozimit europian që do të sjellë marrëveshjen finale. Lajçak nënvizoi se BE do të ketë një rol kyç në monitorimin e përmbushjes së detyrimeve. (A2 Televizion)