
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi anëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës, që morën pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve shkatërruese në Turqi.
Kryetarja e shtetit nënvizoi se ushtarët kanë dëshmuar që jo vetëm janë të aftë të mbrojnë kufijtë e Kosovës, por edhe të ndihmojnë shtetet mike.
“Përpjekjet humanitare të ushtrisë sonë, jo vetëm që kanë ndihmuar njerëzit në nevojë, por gjithashtu kanë dëshmuar kapacitetet e shtetit tonë për t’iu dalë në ndihmë miqve. Veprimet e tyre kanë treguar se ushtria jo vetëm që është e aftë të mbrojë kombin tonë nga kërcënimet e jashtme, por është e përkushtuar për të ndihmuar edhe kombet mike. Ushtria jonë njihet për trimëri dhe shërbimin e saj ndaj shtetit, por është e dëshmuar për shërbyer edhe ndaj popujve vëllazërorë dhe miqve, siç ishte tërmeti në Shqipëri dhe së fundmi në Turqi dhe në Siri.” (A2 Televizion)