
Të gjithë ankohen për punë: ata që nuk e kanë, ata që e kanë një vend pune, por dhe ata që punësojnë. Me mijëra të rinj shqiptarë diplomohen çdo vit dhe shumë prej tyre, emigrojnë drejt vendeve të pasura, siç është Gjermania. Ndër ata që qëndrojnë, duket sikur mungojnë aftësitë e duhura për të qenë produktivë e për të bërë karrierë. Pse ky hendek mes arsimit dhe tregut të punës është ende kaq i pranishëm në realitetin shqiptar? Çfarë duhet sot për t’ia dalë mbanë në tregun e punës? Për këtë temë u diskutua këtë të premte në A2 Business.
Eksperti i ekonomisë, njëkohësisht konsulent biznesi, Enea Janko, u shpreh se të rinjtë shqiptarë duhet të përgatiten të gjithë në njohjen e programeve, softuerëve, pasi nuk duhet të jenë gati vetëm për tregun e punës në Shqipëri, por në të gjithë botën.
“Kur hartojmë programet e edukimit nuk duhet të mendojmë thjesht për plotësimin e nevojave të tregut të punës në Shqipëri, pasi sot tregu është global. Duhet të mendohet më mirë për të përgatitur për një treg pune më global.
Dihet ndikimi i digjitalizimit, edhe të rinjtë shqiptarë duhet të përgatiten për njohjen e programeve, të softuerëve, kjo është një nga aftësitë që duhet të përsoset në Shqipëri. Këtu nuk them vetëm në IT apo Informatikë, por në të gjitha specialitete këto njohuri duhet të jenë prezentë. Aftësia tjetër është kreativiteti, për ide të reja dhe për zbatim të tyre. Shkollat shqiptare kanë të fortë përgatitjen e aftësive teknike, por këtë pjesë e kanë të dobët”, u shpreh Janko. (A2 Televizion)