Një pjesë e bizneseve kanë filluar pushimet nga puna. Industri të tilla si turizmi, fasonët, por edhe sektori i prodhimit kanë njoftuar se do të largojnë një pjesë të punonjësve, pasi nuk përballojnë dot kostot, në kushtet kur aktiviteti i tyre është pezulluar. Ndërkohë që kompani të tjera kanë vendosur që t’i ndajnë këto kosto me punonjësit e tyre, duke i njoftuar ata për ulje të pagave me 30-50%. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëjnë të ditur se ka pasur tendencë për largime, ashtu si edhe për punësime të reja në disa industri, që sot janë të hapura. Por, sipas legjislacionit në fuqi, kompanitë kanë afat deri më 10 prill për të njoftuar heqjen dhe vendosjen e punonjësve të rinj për muajin mars. Kjo do të thotë se duhen edhe pak ditë për të kuptuar realisht efektet e para të krizës së koronavirusit në ekonomi. Ndërkaq, të vetëm në këtë situatë janë edhe ata që punojnë në të zezë. Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, informaliteti në tregun e punës vlerësohet në 36%. Për këtë kategori, kryeministri Edi Rama ka bërë një ofertë: denonconi punëdhënësin tuaj dhe do të përfitoni pagën minimale prej 26 mijë lekë. Të ftuar: Ines Nurja, ish-drejtoresha e përgjithshme e INSTAT, dhe Eni Nasi, eksperte ekonomie. (A2 Televizion)
Të papunët e koronavirusit, çfarë po ndodh me tregun?
