“Edhe UNMIK-u në Kosovë ka dashur 1 vit”, Krasniqi ironizon reformën: Këta mblidhen 5 veta dhe bëjnë reformë

Nga A2 CNN
5 Tetor 2026, 22:06 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi ka kritikuar procesin e ndjekur për Reformën Territoriale, duke e konsideruar shumë të shkurtër periudhën në të cilën është hartuar ndryshimi i ri i ndarjes administrative.

Duke folur për reformën, Krasniqi tha se nuk njeh raste në historinë e Europës kur një proces i tillë është përmbyllur brenda gjashtë muajve. Politologu ironizoi duke e ilustruar me faktin që edhe UNMIK-ut në Kosovë i është dashur një vit e gjysmë.

“Nuk ka në historinë e Europës një rast kur një reformë e tillë bëhet për 6 muaj siç ka ndodhur! Nuk gjen dot në historinë e Europës. Edhe kur ka vendosur UNMIK-u për Bosnjën ose Kosovën ka dashur 1 vit e gjysmë. Si mund të thuash mblidhen 5 veta aty, prodhojmë një dokument në kompjuter, edhe ja kjo është reforma!”, u shpreh Krasniqi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.

Ndërkohë, deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, e kundërshtoi këtë qëndrim të politologut, duke deklaruar se procesi ka zgjatur rreth një vit dhe se në të janë përfshirë deputetë dhe ekspertë.

“Duke qenë vetë pjesë e komisionit, e kam parë nga afër si ka funksionuar. Ka qenë një vit punë i dedikuar jo vetëm i deputetëve, por edhe të një grupi pune shumë të madh ekspertësh”, tha Bylykbashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos