“Në Elbasan ju kontrollojnë dy grupe kriminale!”, Krasniqi përplaset me deputeten socialiste

Nga A2 CNN
5 Tetor 2026, 23:35 | Politikë

Gjatë diskutimit për Reformën Territoriale, politologu Afrim Krasniqi u përplas me deputeten socialiste Aulona Bylykbashi, duke ngritur akuza të forta për ndikimin e grupeve kriminale në Elbasan.

I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2CNN, Krasniqi tha se mazhoranca në Elbasan kontrollohet, sipas tij, nga dy grupe kriminale. Ai u bëri thirrje deputetëve socialistë të distancohen prej tyre, duke u shprehur se ky do të ishte një kontribut për parlamentarizmin në Shqipëri.

“Ju në Elbasan jeni ndryshe. Keni dy grupe kriminale që ju kontrollojnë të gjithëve. Kështu që është e zgjidhur kjo. Unë po flas për vendet ku ka një lloj demokracie”, tha Krasniqi.

Deklaratës së tij iu përgjigj deputetja Aulona Bylykbashi, e cila e kundërshtoi duke e cilësuar Elbasanin një qytet qytetarësh. “Elbasani është një qytet qytetarësh, ku e drejta e pronës ruhet”, u shpreh Bylykbashi.

Krasniqi vijoi debatin duke iu drejtuar deputetes dhe kolegëve të saj socialistë me një tjetër thirrje për distancim nga grupet kriminale.

“Atje drejtojnë dy grupe kriminale dhe nëse ke kurajo distancohuni të gjithë deputetët, distancohuni nga grupet kriminale të Elbasanit. Kjo do ishte ndihma juaj për parlamentarizmin në Shqipëri”, deklaroi politologu.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos