Politikani Petro Koçi ka komentuar protestat qytetare të zhvilluara kundër qeverisë, duke deklaruar se kërkesat e protestuesve janë të ngjashme me ato të PD-së dhe Sali Berishës.
Sipas Koçit, protesta ka humbur në vijimësi karakterin e saj fillestar, ndërsa pjesëmarrësit kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me Partinë Demokratike.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Koçi i cilësoi si “budallallëqe” disa nga kërkesat e protestuesve, duke iu referuar kërkesës për largimin e Edi Ramës dhe kufizimit të mandatit të kryeministrit në dy mandate.
“Protesta filloi të shëmtohej rrugës. Po të shikosh kërkesat e protestës, janë kërkesat historike të PD-së. Edhe ata që janë aty si protagonistë, një pjesë e duan Sali Berishës, janë të Sali Berishës. Një pjesë nuk e duan Sali Berishën, por janë si Sali Berishën. Shumë pak prej tyre janë disa individë. Ata të gjithë kanë nga një emër, dihen nga vijnë, çfarë formimi kanë, historia politike. Që në fillim motori politik i protestës ishte i PD", tha ish-deputeti i PS.
"Kërkesat nuk janë ato që duhen. Duhet synuar në ndryshime që nuk ndryshojnë emrat, por që ndryshojnë shtetin, demokracinë, republikën. Republika duhet kthyer në parlamentare, ky është themeli, pastaj vijon me liri më të mëdha politike, sistemi zgjedhor. Ata thonë të iki Rama, mandati i kryeministrit të jetë dy herë, që janë budallallëqe. Ata në datën 8 do jenë me Berishën aty”, vijoi Koçi. (A2 Televizion)