SHBA ndalon përdorimin e inteligjencës artificiale të Anthropic, Pentagoni e cilësoi “rrezik për sigurinë kombëtare”

Nga A2 CNN
5 Tetor 2026, 23:11 | Bota

SHBA ndalon përdorimin e inteligjencës artificiale të Anthropic,

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk po përdor më mjetet e inteligjencës artificiale të kompanisë Anthropic, ka deklaruar një zyrtar, disa muaj pasi kompania u cilësua si rrezik për zinxhirin e furnizimit për arsye të sigurisë kombëtare.

Pentagoni “ka ndërprerë përdorimin e produkteve të Anthropic”, tha zyrtari i departamentit në një deklaratë të hënën.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi Anthropic si rrezik për zinxhirin e furnizimit në shkurt dhe njoftoi se Pentagoni do të ndalonte përdorimin e produkteve të kompanisë deri në fund të gushtit. Nuk është e qartë pse ka pasur vonesë.

Disa persona në dijeni të çështjes i thanë BBC-së se deri javën e kaluar modeli Claude i Anthropic vazhdonte të përdorej nga departamenti për kërkime, analiza dhe mbledhje informacioni, si dhe në operacionet ushtarake kundër Iranit.

Sipas tyre, modeli konsiderohej një mjet kritik për përpunimin e sasive të mëdha të informacionit. Mes tyre janë ish-zyrtarë të Mbrojtjes së SHBA-së dhe kontraktorë që kanë punuar ngushtë me Pentagonin, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale.

Një zëdhënës i Anthropic refuzoi të komentonte kur u pyet për deklaratën e Pentagonit. Detajet mbi ndërprerjen e plotë të përdorimit të mjeteve të Anthropic nga departamenti nuk ishin raportuar më parë.

Kompania ishte përdorur nga qeveria dhe ushtria amerikane që prej vitit 2024 dhe ishte kompania e parë e avancuar e inteligjencës artificiale që vendosi mjetet e saj në përdorim nga agjencitë qeveritare që kryejnë punë të klasifikuara.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos