
Të lumtur që janë pjesë e Kombëtares së drejtuar nga trajneri Edy Reja, por Keidi Bare dhe Marash Kumbulla nuk mendojnë të jenë thjesht plotësues në ekipin kuqezi.
Madje, sipas mesfushorit te Malagas, Bare, Shqipëria ka shanse për të arritur një rezultat pozitiv ndaj Francës kampione të botës.
“Skuadrën e shoh shumë të motivuar dhe të gjithë punojnë shumë mirë, duke dhënë maksimumin, por duhet të theksoj se Franca është një ekip shumë i madh dhe ka emra shumë të bujshëm në organikë, që mund të bëjnë shumë mirë, megjithatë ne jemi gati të japim maksimumin, për të marrë një rezultat të mire. Unë besoj çdo gjë, pasi në futboll mund të arrish gjithçka, pavarësisht kundër kujt luan. Megjithatë ne duhet të japim maksimumin tonë dhe të shpresojmë që të marrim diçka”, u shpreh Bare.
“Shpresojmë të marrim sa më shumë pikë të mundemi në këto dy takime. Të gjithë janë shumë të mirë dhe nuk ka diferencë. Do të përshtatesha lehtë me këdo. Reja është një trajner italian dhe ky fakt më ndihmon të kuptoj më lehtë idetë e tij. Megjithatë fakti që vij nga Seria A, nuk ma bën më të lehtë, pasi trajneri i shikon të gjithë në stërvitje dhe më pas vlerëson e zgjedh më të mirët”, tha Kumbulla. (A2 Televizion)