
Presidenti serb Aleksander Vuçiç u kërkoi serbëve të Kosovës të ruajnë paqen dhe stabilitetin, gjatë një takimi të zhvilluar mëngjesin e së martës me përfaqësuesit politikë të këtij komunitetit. Takimi u zhvillua pas dështimit të bisedimeve në Bruksel për arritjen e një marrëveshje për targat, e pasi qeveria Kurti shtyu me dy ditë afatin për vënien e gjobave me kërkesë të SHBA.
Vuçiç tha se po i përgjigjeshin si njerëz të denjë arrogancës së të tjerëve. Edhe gjatë konferencës së mbajtur në Beograd mbrëmjen e së hënës, Vuçiç tha se do tu përcillte serbëve mesazhin për të ruajtur paqen.
“Mesazhi im për serbët në Kosovë është që të ruajnë paqen; në mënyrë që të mos fajësohen ata. Në mënyrë që serbët të mos provokojnë askënd”.
Ndërsa theksoi se do të zbatojë porositë e Brukselit, duke mos lëshuar më targa të reja për serbët që jetojnë në Kosovë, Vuçiç paralajmëroi se situata ishte serioze dhe po përshkallëzonte në një konflikt.
“Sapo kemi marrë informacionet e fundit të inteligjencës. Situata është shumë e vështirë, është praktikisht në prag të konfliktit”.
Vuçiç mbrojti vendimin e largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, të cilët siç tha kishin dëgjuar për të 1-mijtën herë se nuk do të përmbushej marrëveshja e arritur 10 vite më parë e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. (A2 Televizion)