Të shtëna me armë zjarri janë raportuar këtë mëngjes në qendër të Triestes pranë një lokali. Mediat italiane raportojnë se të paktën tetë persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat që mësohet se kanë ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje midis grupeve të punëtorëve të huaj, kosovarë dhe shqiptarë. Sipas disa burimeve të shtënat erdhën si rezultat i mosmarrëveshjeve pikërisht për çështjet e punësimit. Pas një grindjeje fillestare, grupet, të përbërë nga njerëz të shumtë, gjithashtu janë përplasur me hekura dhe atëherë dikush nxori armën dhe qëlloi disa herë.
Mësohet se njëri prej personave të plagosur është në gjendje të rëndë.
Hetimet janë të koordinuara nga prokurorja në detyrë, Chiara De Grassi, ndërsa kërkimet kanë filluar në zonën dhe rreth qytetit, pasi shumë njerëz janë përfshirë në këtë çështje.
Zona u mbyll nga policia, ndërkohë që në vendngjarje janë policia, karabinierët, policia financiare dhe ambulanca.
Një banakier dëshmitar në vendngjarje tregon se në fillim iu duk si lojë mes tyre, derisa pa dikë të shtrirë përtokë pa ndjenja.
"Ndjeva shumë zhurmë, por në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Njerëzit po ndiqnin njëri -tjetrin dhe dukej sikur ishte një lojë mes tyre. Pastaj pashë një tjetër person një tokë, të cilit i kishte rënë të fikët dhe unë e kuptova se çfarë po ndodhte. Unë kam punuar këtu për 33 vjet, nuk kam parë kurrë një skenë dhune. Nuk kisha frikë". (A2 Televizion)