
Grupi parlamentar i PS-së bëri një hap pas duke vendosur të mos i japë votat kandidaturës së Simon Mirakës, edhe pse më herët në Komisionin e Ligjeve kishin vendosur pro tij si anëtar i autoritetit të dosjeve. Shkak u bë firma e Sali Berishës të cilin komisioni i Ligjeve nuk e kishte parë si problematike gjatë shqyrtimit paraprak.
Mazhoranca në seancë plenare hodhi poshtë vendimmarrjen e Komisionit të Ligjeve, ku vetë socialistët i kishin dhënë dritën jeshile kandidaturës së Simon Mirakës për një mandat të dytë në bordin e Autoritetit të Dosjeve.
Argumenti publik i shumicës ishte firma mbështetëse e Sali Berishës për këtë kandidaturë.
“Ne nuk kemi asgjë me kandidaturën e zotit Miraka. Jemi të gatshëm ta rivotojmë përsëri nëse nga lista e propozuesve të zotit Miraka hiqet emri i katranit me bojë”, tha Balla.
Ky ndryshim qëndrimi nga Komisioni i Ligjeve në seancë plenare, për akte apo kandidatura që kanë marrë mbështetjen e mazhorancës, është diçka që ndodh shumë rrallë. Mesa duket, kuja e Gazmend Bardhit ditën e premte nuk ka kaluar pa u ndjerë te vendimmarrja socialiste.
Në seancë plenare, debati për çështjen e Simon Mirakës u bë kur në sallë po diskutohej raporti vjetor i Komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi ku Berisha nuk i kurseu akuzat.
“Sot refuzuat Simon Mirakën, një nga ikonat e vuajtjes së persekutimit, decedent i një familje të shkëlqyer dhe në një kombinim, individë që i lidh krimi, i fshinë emrin për të shkuar komisioner në komisionin e dosjeve të sigurimit të shtetit”, u shpreh Berisha.
“Dy gjëra kishin bashkë, sigurimi i shtetit dhe katrani, antidemokracisë, minim të demokracisë dhe antiamerikanizmin”, reagoi Balla.
“Diskriminimi juaj ndaj qytetarëve është i pakufijshëm”, theksoi Berisha.
Ngjashëm me reagimin e Ballës ishte edhe ai i Enkelejd Alibeaj, që në rrjetet sociale u shpreh se deputetët e tij kishin dhënë votën kundër jo si kundërshtim të kandidaturës së Simon Mirakës, por si kundërshtim të firmës së Sali Berishës. (A2 Televizion)