Temperaturat tepër të larta që kanë arritur deri në 46 gradë Celsius, kanë shkaktuar deri tani gjashtë viktima në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku 2/3-tat e vendit janë përfshirë nga vala e të nxehtit. Katër viktima janë shënuar në Merilend, një në Arizona dhe një tjetër në Arkansas.
Në disa zona temperatura ka arritur deri në 42 gradë Celsius, edhe pse për shkak të lagështisë vapa ndihet edhe më shumë. Në Nju Jork, autoritetet kanë deklaruar gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa moti ekstrem vazhdon nga bregu lindor thuajse deri në bregun perëndimor.
Departamenti i Policisë në Brantree, Masaçusets, madje paralajmëroi kriminelët që të ndërprisnin aktivitetin e tyre pasi bënte shumë vapë. “Kushdo që po mendon të kryejë ndonjë krim, të presë deri të hënën. Rrini në shtëpi, ndizni kondicionerin dhe shihni serialë. Takohemi të hënën kur të freskohet koha”, shkruhej në postimin e tyre në Facebook.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit rreth 124 milionë persona janë të kërcënuar nga temperaturat tejet të larta. Thuajse në të gjithë vendit njerëzit i janë drejtuar brigjeve të liqeneve e lumenjve, por edhe parqeve natyrore dhe shatërvanëve për t’i shpëtuar vapës e për t’u freskuar sadopak. (A2 Televizion)