
Nga krijimi i një aplikacioni për sigurinë në internet tek testimi i nivelit të brishtëisë së sistemeve dhe identifikimi i infrastrukturës kritike. Janë këta disa nga tenderat e shpallur nga institucionet shqiptare me vlerë në rreth 50 milionë lekë për garantimin e sigurisë kibernetike.
Por për eksperten Esmeralda Kazia, investimet me fushata në drejtim të sigurisë “online” nuk mjaftojnë ndaj postulati, “parandalimi ka kosto më të ulëta se pasoja” duhet të shërbejë si kambanë alarmi. “Fakti që sulmohemi për të dytën herë, rezultoi nga mungesa e standardeve dhe gabimet njerëzore”, thotë për A2 CNN, Esmeralda Kazia, pedagoge, eksperte IT. “Ajo që shikoj të rëndësishme është testi i penetrimit, si një nga mënyrat më të mira për të analizuar vulnerabilitetet dhe kërcënimet e më pas analizohet risku i procesit”.
Sipas ekspertes Kazia, situata tregon se mbrojtja kibernetike e të gjitha niveleve kërkon vëmendjen e duhur, duke mos mbetur një qasje sipërfaqësore ndaj këtij fenomeni që realisht po bëhet i pranishëm dhe tepër agresiv.
Ekspertë të fushës thonë se për të pasur një mbrojtje kibernetike nuk mjafton vetëm “shtrëngimi” pa kriter i masave mbrojtëse, apo ndjekja e politikave “tepër të rrepta”, por investimi në vijim te infrastruktura e sidomos burimet njerëzore. (A2 Televizion)