Visho Ajazi Lika, ish-kreu i SHISH, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se muxhahedinët ishin në “situatë zhdukjeje” kur Shqipërisë iu kërkua që t’i strehonte, por shtoi se vetë ai ishte skeptik, pasi për vendin tonë “përbënin një problem sigurie, të paktën potencialisht”.
“Në aspektin njerëzor, muxhahedinët ishin vërtetë në situatë shumë të rëndë. Ishin në situatë zhdukjeje në atë kohë. Kështu që, na u kërkua nga aleatët që t’i strehonim për arsye humanitare. Në fillim bëhej fjalë për një numër të vogël, pasi thuhej se do shkonin në Perëndim dhe Amerikë. Të them të drejtën, unë që në fillim kur ma kërkuan këtë, isha skeptik për arsye sigurie. Ata ishin “hardcore fighters”, ata kishin 20 vite që ishin në luftë me regjimin e Ajatollahut dhe përbënin një problem sigurie, të paktën potencialisht”, tha Visho Ajazi Lika.
“Unë thashë që nuk i kemi mjete për t’i mbajtur nën vëzhgim një grup kaq të madh njerëzish dhe duke qenë një vend i vogël, ishin problem për ne”, shtoi ish-kreu i SHISH. (A2 Televizion)