Gjykata e Posaçme shpalli vendimin përfundimtar ndaj 8 të bashkëpandehurve të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të akuzuar për shkelje të ligjit në lidhjen e kontratës koncesionare gati 100 milionë euro të “Sterilizimit”.
Të tetë të pandehurit, që u gjykuan me kohë të shkurtuar, në një proces të veçuar nga ish-ministri, u shpallën fajtorë, por jo për të gjitha akuzat. Ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj, ish-kryetari i Komisionit të Dhënies së Koncesionit dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, zotëruesi i 40 përqind të kuotave të shoqërisë koncesionare, fituan pafajësi për veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal”, shkruan A2.
Ata u fajësuan vetëm për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” me nga 6 vite burg secili, dënim që u ul në 4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dënime me nga 3 vjet e 6 muaj për “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërdorim të detyrës” u dhanë për të pandehurit Arben Gjata, Petref Mersini, Marsela Serjani e Sajmir Kadiu, ish-anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncensionit.
Përveç uljes së një të tretës, për dy të parët dënimi u konvertua në Shërbim Prove për 24 muaj. I pandehuri Genci Byrazeri mori një dënim përfundimtar me 80 orë punë në interes të publikut, ndërsa Naile Ajazi u la në Shërbim Prove për 2 vite.
Hetimi për “Sterilizimin” nisi në janar 2020, si rezultat i kallëzimit të parë penal të regjistruar në SPAK pas ngritjes së tij. Sipas hetimit, të pandehurit kishin paraqitur të dhëna të rreme në studimet e fizibilitetit, duke rritur fiktivisht vlerën e shpenzimeve, si edhe kanë krijuar kushte që kontrata të lidhej me shoqërinë e Rrapajt.
Pas katër vitesh hetime, SPAK kërkoi gjykimin e të pandehurve për “shpërdorim të detyrës”, “mashtrim e falsifikim të dokumenteve”. Gjatë shqyrtimit paraprak, me sugjerim nga gjykata, prokurorët rikualifikuan akuzën ndaj Ilir Beqajt, Klodian Rrjepajt dhe Ilir Rrapajt.
Nga ana tjetër, rënia e grupit kriminal duket se do të lehtësojë edhe pozitat penale të ish-ministrit Beqaj në procesin e veçuar ndaj tij, për faktin se anëtarët e grupit kriminal për të cilin dyshohej ishin Rrjepaj dhe Rrapaj. (A2 Televizion)