“Jo vetëm raketa”, ish-kreu i SHISH: Irani mund të na sulmojë në shumë mënyra

Nga A2 CNN
4 Mars 2026, 22:25 | Aktualitet

Visho Ajazi Lika, ish-kreu i SHISH, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se Irani mund ta sulmojë vendin tonë në disa mënyra, jo vetëm me raketa.

“Para disa vitesh, Irani kërcënoi direkt se do sulmonte bazën e Manzës. Atëherë diskutohej që Shqipëria ishte në rrezen e veprimit të raketave balistike të Iranit. Pra, teorikisht ne jemi subjekt i një sulmi nga Irani. Por, një raketë e lëshuar nga Irani do të kalonte të paktën në 3 shtete anëtare të NATO-s: Turqia, Greqia dhe Shqipëria. NATO ka një sistem të fuqishëm mbrojtjeje raketore, në Rumani aktualisht. Ajo bazë e madhe është në alert maksimal për zhvillimet në zonë. Pra, do të thoja nuk jemi domosdoshmërisht në fokus të Iranit, por teorikisht po”, tha Visho Ajazi Lika.

Sipas tij, “në aspektin njerëzor, muxhahedinët ishin vërtetë në situatë shumë të rëndë”.

“Ishin në situatë zhdukjeje në atë kohë. Kështu që, na u kërkua nga aleatët që t’i strehonim për arsye humanitare. Në fillim bëhej fjalë për një numër të vogël, pasi thuhej se do shkonin në Perëndim dhe Amerikë. Të them të drejtën, unë që në fillim kur ma kërkuan këtë, isha skeptik për arsye sigurie. Ata ishin “hardcore fighters”, ata kishin 20 vite që ishin në luftë me regjimin e Ajatollahut dhe përbënin një problem sigurie, të paktën potencialisht. Unë thashë që nuk i kemi mjete për t’i mbajtur nën vëzhgim një grup kaq të madh njerëzish dhe duke qenë një vend i vogël, ishin problem për ne. Unë ngula këmbë për 125 veta në atë kohë dhe të mos rrinin, këtu përfunduan të gjithë. Pra, në aspektin humanitar është krejt e kuptueshme. Në fund të fundit, ishte vendim politik, në aspektin e sigurisë ishte problematik. Tani, edhe diçka të fundit lidhur me këtë grup njerëzish. Mos harrojmë që këto janë njerëzit të cilët kanë qenë rreth para 35 vjetësh të përfshirë në aktivitet. Sot ata janë në moshë të shtyrë shumica, pothuajse të gjithë prej tyre. Ata vetë nuk është se sot përbëjnë ndonjë kërcënim sigurie, por ato mund të jenë subjekt i një kërcënimi sigurie. Edhe rasti konkret është nga Irani dhe këtu nuk flas vetëm për raketa, por këtu flas edhe për sabotazh, flas edhe për veprime terroriste dhe gjëra të kësaj natyre”, theksoi ish-kreu i SHISH. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos