
Kryeredaktori i Birn, Besar Likmeta, deklaroi në studion e “Absolut 4” se SPAK nuk po kryen një hetim tërësisht penal në lidhje me tenderin e uniformave të policisë.
“Tenderat e uniformave të Policisë së Shtetit janë shoqëruar gjithmonë me akuza korrupsioni. Akuza është që favorizohet njëra palë përmes specifikimeve teknike. Nuk kemi hetim tërësisht penal, por kemi më shumë një hetim administrativ nga ana e SPAK-ut. Sipas mendimit tim, kjo lë për të dëshiruar. Nuk kemi ndjekjen e parasë, për të kuptuar se kush mund të ketë përfituar. SPAK-u është strukturë kundër korrupsionit, jo për të kontrolluar barazinë në tendera”, tha Likmeta.
Kryeredaktori i “Birn” shtoi se “në këtë rast, SPAK ka shpenzuar shumë kohë duke marrë dokumente, me kërkesa nëpër institucione. Nuk është hetim proaktiv, nuk të lë shpresosh për hetime të thelluara nga SPAK-u në të ardhmen”. (A2 Televizion)